Kodi Financiar për Gratë Ndërmarrëse
FINCA Kosovë është krenare të mbështes Kodin Financiar për Gratë Ndërmarrëse (tashetutje në tekst “WE Finance Code” ose “Kodi”), një iniciativë globale e dedikuar për të ngushtuar hendekun në financim për gratë ndërmarrëse dhe për të promovuar barazinë gjinore në sektorin financiar. Si palë nënshkruese e këtij kodi, FINCA angazhohet të bashkëpunojë me palët kombëtare të interesit për të ofruar udhëheqje, për të përmirësuar sistemet e të dhënave dhe për të zbatuar veprime konkrete që fuqizojnë ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në pronësi dhe udhëheqje të grave.
Si nënshkruese e WE Finance Code, FINCA angazhohet për sa vijon në secilin nga tre shtyllat e Kodit:
Zotimet për Lidership:
- FINCA Kosova ka emëruar Fitore Loxha Tolaj si Kampione të WE Finance Code. Kjo kampione udhëheq zbatimin e angazhimeve, koordinon me koalicionin kombëtar dhe siguron që aktivitetet e institucionit të jenë në përputhje me Kodin.
- FINCA ka krijuar Liderët e Kredive për Gra në të gjitha degët rajonale për të vepruar si ambasadorë për NMVM-të e udhëhequra nga gratë. Këta ambasadorë do të vazhdojnë të ofrojnë udhëzime të përshtatura, të mbështesin qasjen në produkte të specializuara dhe të sigurojnë që gratë ndërmarrëse të marrin shërbime të personalizuara.
- FINCA do të ruajë një raport të balancuar gjinor të stafit dhe menaxhmentit, do të promovojë gratë në pozita udhëheqëse dhe do të zbatojë praktika gjithëpërfshirëse të burimeve njerëzore—si panele punësimi të balancuara në aspektin gjinor, politika për Baraspeshë në mes të punës dhe jetës dhe programe mbështetjeje për lehoninë. Programet e trajnimit për stafin do të trajtojnë paragjykimet gjinore, paragjykimet e pavetëdijshme dhe mundësitë që ofrohen përmes Fondit të Garancisë Kreditore.
- FINCA do të adoptojë dhe raportojë duke përdorur përkufizimin e dakorduar në nivel kombëtar për NMVM-të në pronësi dhe udhëheqje të grave, siç është miratuar nga Koalicioni Kombëtar i Kodit WE Finance. Ky përkufizim do të aplikohet në segmentimin e portofolit dhe në raportimin pranë Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).
- FINCA do të pozicionojë bizneset e udhëhequra nga gratë si një segment kyç të klientëve përmes fushatave të marketingut enkas të ideuara, përmes aktiviteteve të përbashkëta promovuese për klientët e rinj dhe shpërndarjes së rregullt të storieve të suksesit të klientëve tanë. Institucioni do të raportojë për rezultatet e fushatave dhe do të sigurojë që NMVM-të e udhëhequra nga gratë të paraqiten vazhdimisht në komunikimet e tij.
- FINCA do të vazhdojë të promovojë Kreditë për Gra dhe Kreditë Start-Up për Gra përmes marketingut digjital, fushatave në radio, TV dhe SMS, duke theksuar rolin e saj si partner i besueshëm për gratë ndërmarrëse.
- FINCA do të informojë gratë ndërmarrëse për të gjitha mundësitë e financimit—kreditë e përshtatura, shërbimet këshilluese dhe mekanizmat e tjerë mbështetës—duke siguruar që NMVM-të e udhëhequra nga gratë dinë se cilat produkte janë në dispozicion dhe si mund t’i qasen atyre.
Zotimet për të Dhënat
- FINCA do të vazhdojë të regjistrojë dhe analizojë arsyet e refuzimit të aplikimeve për kredi për të identifikuar barrierat sistemike me të cilat përballen gratë, për të dizajnuar produktet dhe politikat e rrezikut.
- FINCA do të zbatojë përkufizimin e koalicionit kombëtar për NMVM në të gjithë portofolin e saj, duke mbajtur shënime të veçanta për Kreditë Bujqësore për Gra dhe Kreditë për Biznes për Gra për të lehtësuar analizën dhe raportimin e synuar.
- FINCA do të ndajë në mënyrë të veçantë bizneset në pronësi dhe në udhëheqje të grave brenda bazës së saj të të dhënave dhe do të analizojë performancën e tyre për të përmirësuar zhvillimin e produkteve dhe ofrimin e shërbimeve.
- FINCA do të ofrojë raporte tremujore për BQK-në, Shoqatën e Institucioneve Mikrofinanciare të Kosovës (AMIK) dhe Shoqatën e Bankave, duke përfshirë të dhëna për klientet gra, cilësinë e portofolit të kredive dhe principalin, duke krahasuar rezultatet për bizneset e udhëhequra nga gratë dhe ato të udhëhequra nga burrat.
Zotimet për Veprim
- FINCA do të vazhdojë të zhvillojë produkte të reja financiare për gratë ndërmarrëse, të bazuara në të dhënat e ndara sipas gjinisë dhe vlerësimet e nevojave të tyre.
- FINCA do të ofrojë shërbime jo-financiare për gratë ndërmarrëse—përfshirë edukimin financiar, marketingun digjital, kontabilitet, planifikimin e biznesit, aftësitë e negociimit dhe punëtori të tjera trajnimi—të realizuara përmes programit FEMEDU dhe Qendrës për Mësim dhe Zhvillim. Këto trajnime do të lidhen me mundësitë e financimit, duke siguruar që pjesëmarrëset pas përfundimit të tyre, të kenë qasje në produkte financiare të përshtatshme.
- FINCA do të mbajë një program të përhershëm trajnimi dhe mentorimi për gratë ndërmarrëse përmes Qendrës për Mësim dhe Zhvillim, duke ofruar module të dedikuara për gratë dhe duke mbështetur rritjen e bizneseve të tyre.
- FINCA do të vazhdojë të rrisë numrin e klienteve NMVM të udhëhequra nga gratë dhe të zgjerojë fushën dhe vlerën e financimit të ofruar për gratë ndërmarrëse. Gratë tashmë përbëjnë një pjesë të konsiderueshme të bazës së klientëve të FINCA-s dhe institucioni do të ndërtojë mbi këtë progres duke rritur portofolin e kredive dhe shërbimeve për gratë.
- FINCA do të organizojë të paktën tri aktivitete rrjetëzimi në vit për të promovuar gratë ndërmarrëse, për të mbështetur pjesëmarrjen e tyre në panaire dhe ekspozita tregtare dhe për t’i vendosur në kontakt me tregje të reja dhe partnerë biznesi.
