06-08-2008
Në programin e Dokufest-it do të shfaqen mbi 130 filma
DOKUFEST, Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të shkurtë, është ngjarja më e madhe filmike në Kosovë. Festivali mbahet në Gusht, në Prizrenin historik dhe pitoresk që tërheq një numër të madh të artistëve nga regjioni dhe bota. Në këtë festival vjetor filmat shfaqen dy herë në ditë në katër kinema, dy nën qiell të hapur dhe në dy të mbyllura. Përveç filmave, festivali është i njohur edhe për netët plot gjallëri që pasojnë shfaqjen e filmave. Festivalin e përcjellin edhe një numër aktivitetesh si punëtori, ekspozita DokuPhoto, kampingu i festivalit, koncerte e të tjera, duke i dhënë qytetit një sharm të veçantë në të cilin do të dëshironit të jeni.
Pas mbarimit të aplikimit i cili zgjati pothuaj 4 muaj, në adresë të Dokufest arritën 655 filma nga 49 shtete të botës. Prej tyre 475 dokumentar dhe 180 filma të shkurtë dhe të animuar.
Interesimi dhe numri më i madh i aplikacioneve arriti nga ShBA, Anglia, Spanja , dhe Gjermania. Adhuruesit e filmit gjatë edicionit të 7-të ;Dokufest i cili do të mbahet prej 4-10 Gusht ,së bashku me programet speciale do të kenë mundësi të përcjellin gjithsejt 139 filma dokumentar dhe të shkurtë, filma të cilat do të shfaqen në 4 hapësira.
Për cmimin kryesor të Dokufest 2008 në garën ndërkombëtare të filmave dokumentar të gjatë gjithsejt do të garojnë 10 filma. Ndër ta ndodhen edhe filmat English Surgeon fitues i festivaleve HotDocs të Torontos dhe Silverdocs të Washingtonit, dy këto festival më të rëndësishme në kontinentin amerikan, pastaj filmi mbi ish kryetarin Çek, Vaclav Havel, i titulluar Citizen Havel, To See if I’m Smiling, fituesi i dyfishtë i festivalit më të rëndësishëm të filmit dokumentarë në botë, IDFA të Amsterdamit dhe Blind Loves nga Slovakia i cili vjen freskët nga paraqitja në festivalin e Kanës dhe Karlovy Varit. Në program poashtu ndodhen filmat e regjisorve të njohur, sikurse ai Life Support Music i Eric Daniel Metzgar i cili do ta hap festivalin dhe Phie Ambos “Mechanical Love” si dhe filmi “Lost Colony” i regjisores holandeze Astrid Bussink, fitueses së Dokufestit në vitin 2006 me filmin The Angelmakers.
Nga 12 filma dokumentarë të shkurtë vlen të veçohen “The Tail” nga Spanja i cili vazhdon me suksesin e filluar nga IDFA ku u vlerësua si filmi më i mire, pastaj filmat “The First Day” dhe “52 Percent” cilët denjësisht vazhdojnë traditën e filmave kualitativ nga Polonia. Në garë janë poashtu filmi “Ah Liberty”, fituesi i festivalit të Roterdamit dhe tre filma nga Scottish Documentary Institute, njëra nga organizatat më vitale në fushën ne filmit dokumentarë në Evropë.
FINCA Kosovë është Sponsor Krenar i këti festivalit.

