24-11-2010
Është mirë të jesh i pari
Prishtinë, 24 Janar 2010 (Kosovapress) Koha 11:15
FINCA Kosova është një institucion mikrofinanciar që operon në fushën financiare të Kosovës. FINCA jo vetëm që ia ka arritur qëllimit, por i ka shërbyer me devotshmëri dhe përpikëri misionit të saj që t’u shërbejmë sipërmarrësve të vegjël me të ardhurat sa më të vogla me produkte të ndryshme financiare dhe t’i ndihmojë ata, në mënyrë që ata të krijojnë asete, dhe të përmirësojnë jetën e tyre familjare, ka thënë në një intervistë për Kosovapress, drejtoresha e FINCA-së, Ella Beavers.
Kosovapress: Aktiviteti i FINCA-së, që një kohë të gjatë është në Kosovë. Sa e ka arritur qëllimin e saj për të dominuar në tregun si institucion mikrofinanciar?
Beavers: FINCA Kosova është një institucion mikrofinanciar që operon në fushën financiare të Kosovës. Unë them me krenari që FINCA jo vetëm që ia ka arritur qëllimit, por i ka shërbyer me devotshmëri dhe përpikëri misionit për të cilin FINCA ka filluar punën në Kosovë, ka qenë një mision dhe vazhdon të jetë një mision i thjeshtë, por shumë kuptimplotë, dhe ai mision është që t’u shërbejmë sipërmarrësve të vegjël me të ardhurat sa më të vogla me produkte të ndryshme financiare dhe t’i ndihmojë ata, në mënyrë që ata të mbledhin, të krijojnë asete, dhe të përmirësojnë jetën e tyre familjare. FINCA i ka shërbyer dhe vazhdon t’i shërbejë këtij misioni dhe po thuajse e ka përmbushur këtë mision plotësisht dhe qëllimet e saja mëshirohen plotësisht rreth këtij misioni.
Kuptohet se në çdo treg ka një konkurrencë dhe si i thonë fjalës, është mirë të jesh i pari, dhe ne pavarësisht se si thonë jemi kolegë me institucione të ndryshme financiare, ne mundohemi gjithmonë të jemi të parët, të arrijmë suksese, të cilat e vendosin FINCA-në në rangjet më të përparuara të institucioneve financiare.
Kosovapress: Cili është dallimi i shërbimeve të FINCA-së ndërmjet atyre që i ofrojnë institucionet e tjera mikrofinanciare prezent në Kosovë?
Beavers: Produktet financiare janë të limituara, sepse i tillë është edhe vetë tregu financiar, sa do të kesh krijimtari dhe të krijosh produkte të reja, këto produkte gjithmonë janë të limitueshme dhe janë pothuajse të ngjashme. Ajo që ndryshon ose si i thonë që krijon dhe e zhvendos FINCA-në prej institucioneve të tjera financiare edhe shërbimet që ne ofrojmë dhe formën e shërbimit dhe qëllimin e këtyre shërbimeve dhe mënyrën se si ne i ofrojmë këto shërbime, mënyrën se si ne i qasim klientët, mënyrën se si ne i përzgjedhim klientët të cilët ne marrim, të gjitha këto i shërbejnë ose përcaktojnë një far ndryshimi të FINCA-së në krahasim me institucionet e tjera financiare.
Ne përpiqemi gjithmonë që të gjejmë klientë të cilët kanë biznese të suksesshme.
Misioni i FINCA-së është më shumë social se sa mision privat ose për të përmbushur si i thonë xhepat e aksionarëve të ndryshëm, FINCA ka pasur dhe ka aksionarë social dhe investitorë social, të cilët shohin si indikacione të perfomancës kryesisht indikatorët socialë. Ju mund të pyesni këta indikatorë social, edhe një buzëqeshje e fëmijëve të vegjël të klientëve tanë të cilët kur vinë te FINCA tek zyrat, ne u japim një tullumbace me shenjën e FINCA-së dhe thjesht ajo buzëqeshje për ne ka vlerë dhe ne e mbajmë shënim dhe e reklamojmë si rezultat të FINCA-së dhe si indikim të suksesit tonë.
Kosovapress: Pasi përmendët kreditë, dihet që ka shumë biznese, të cilat ankohen në normat e larta të kredive të bankave komerciale në Kosovë, a mendoni që ndoshta kjo i bën ata që t’i ofrohen FINCA-së për kredi?
Beavers: Secila bankë apo institucion financiar ka politikën e vet të vendosjes së çmimeve të produkteve, politikë e cila kryesisht është e varur prej kostos së këtyre institucioneve. Kostoja e institucioneve varet prej dy faktorësh, faktorin kryesor që janë të ardhurat ose fondet, të cilat ne i marrim prej investitorëve të tjerë që janë fonde prej tregut të lirë. Investitorët tanë janë investitorë që operojnë në tregun e lirë, do me thënë nuk japim kredi me interes të koncensionuar. Kështu që ne kur marrin këto kredi dhe edhe institucionet e tjera financiare që financojnë operacionet e veta duhet të paguajnë te këta investitorë një kosto të kësaj kredie për të cilën kanë marrë kredi. Faktori i dytë që ndikon është kostoja e institucioneve mikrofinanciare për shpërndarjen e kredisë.
Bankat zakonisht synojnë ose mbase modelin e biznesit të tyre e kanë që të presin klientët të vinë tek ta, ndërsa ne meqenëse misioni i biznesit të FINCA-së të shkojë tek klienti, t’i dërgojmë produktet tona tek klienti, të mos presim të vijë klienti tek ne, atëherë kjo shton koston e dhënies së kredisë. Ne kemi nëpunës akreditor, të cilët udhëtojnë nëpër zonat rurale me automjetet e institucionit tonë. Të gjitha këto kosto operacionale duhet të mbulohen nga interesi i kredisë që ne u japim, kështu që këta dy faktorë ndikojnë edhe në interesin e kredive. Me sa kam vënë re unë në Kosovë dhe në shumë vende ku kam punuar me FINCA-në dhe me institucionet e tjera mikrofinanciare, interesi mujor dhe vjetor i kredive në Kosovë është një nga normat më të ulëta në krahasim me mesataren e rajonit. Do me thënë Kosova dhe institucionet financiare të Kosovës ofrojnë norma të interesit që janë bile edhe më të ulëta se sa mesatarja jo vetëm e vendeve të Ballkanit, por edhe në vendet e tjera në të cilat unë kam punuar. Për shembull, në Azerbajxhan, Armeni apo Gjeorgji, mesatarja e interesit ka qenë 3 deri në 3.5 për qind, ndërsa këtu mesatarja është rreth 2 për qind mujore. Unë nuk e konsideroj këtë si një interes normë interesi të lartë kur duhet pasur parasysh që normat e investitorëve janë përafërsisht me këtë normë, kështu që mund të them me shumë konfidencë që të ardhurat tona prej operacioneve nuk janë shumë fitimprurëse apo çka gjithmonë ka qenë nëpër media ka qenë si eko, që mikrofinancat apo edhe bankat i ofrojnë normat e interesit shumë të larta, mbase këto quhen shumë të larta në krahasim me vendet në Amerikë apo në vendet perëndimore, por duhet të kemi parasysh që Kosova dhe shumë vende të tjera të Ballkanit dhe të Evropës Lindore ende nuk kanë arritur ato zbulime si në vendet perëndimore.
Kosovapress: Sa është e përshtatshme Kosova për FINCA-në që të investoni dhe të zgjeroheni këtu?
Beavers: Siç e thashë misioni jonë është mision kryesisht për të përmirësuar jetën dhe standardet jetësore të popullsisë së Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe të rrisim mirëqenien ekonomike të të gjithë shtetit, të gjithë vendit si një vend i pavarur dhe kuptohet që një nga treguesit kryesor për rritje ekonomike është sasia e investimeve të jashtme apo të brendshme, që bëhen në vend gjatë vitit.
Unë mendoj që Kosova është ende si i thonë, një vend i parrahur prej investitorëve dhe shpresoj që numri dhe sasia e investimeve jo vetëm të brendshme, por kryesisht të huaja do të rritet në 2010-në dhe më tej në vitet e ardhshme, sepse unë e shikoj vetë, nuk më duhet shumë, por vetëm të dal pak jashtë Prishtinës të shikoj hovin që ka marrë zhvillimi ekonomik i Kosovës. Ajo hetohet në numrin e bizneseve të vogla dhe të mesme që janë vazhdimisht në rritje, hetohet në numrin dhe hovin e ndërtimeve që po zhvillohen. Të gjitha këto janë tregues që japin të nënkuptosh se Kosova është gati për mirëpritjen e investitorëve, por duhet krijohet ambienti ligjor dhe rregullativ i posaçëm, në mënyrë që të mirëpriten këto investime dhe investitorët e huaj, sidomos janë të predispozuar kryesisht të investojnë në vendet, të cilat e kanë këtë strukturë ligjore që lejojnë investimet dhe e mbrojnë investitorin. Ajo është kryesorja, jo vetëm të investosh, por edhe si investitorë të mbrohet investimi i vet dhe unë shikoj dhe me sa kam parë edhe me zhvillimet e fundit që Kosova po e përgatit vetën që të jetë gati që të ftojë investitorët jo vetëm nga ana ligjore, por edhe nga ana ekonomike.
Kosovapress: Aktiviteti i FINCA-së, a është i shtrirë edhe në enklavat serbe, apo është vetëm për kosovarët?
Beavers: FINCA nuk diskriminon, as nga raca, as prej prejardhjes, as prej gjinisë, as prej moshës, ajo çka vlerëson FINCA është novacioni, puna dhe kreativiteti, në qoftë se një klient apo një individ ka një ide të mirë, një ide e cila ofron sukses në të ardhmen, FINCA është gati ta financojë. FINCA ka aktivitete në të gjithë Kosovën, ka aktivitete edhe në zonat që janë predominuese me banorë serbë, por jo vetëm serbë, ne u ofrojmë shërbimet tona financiare edhe komuniteteve të tjera jo shqiptare, turke, rome, boshnjake. Nëpunësit tanë nuk diferencojnë mbi bazën e nënshtetësisë apo të besimit. Ajo çka vlerësojmë ne është puna, një individ punëtor përfiton prej shërbimeve të FINCA-së.
Kosovapress: Të flasim edhe një herë për kreditë. Cila shtresë e popullsisë merr më shumë kredi në FINCA, a keni hasur deri më tani probleme të mëdha për kthimin e këtyre kredive, dhe çfarë masa keni ndërmarrë në rast të vonesave apo mos kthimit të kredive?
Beavers: Kuptohet që një operacion kreditor, qëllimi është të sigurohet që kreditë që jepen të kthehen tek institucioni dhe kjo sjell edhe atë që quhet edukimi i klientëve dhe edukimi i tregut të Kosovës me idenë dhe nocionin se kredia është kredi dhe ka një përgjegjësi, dhe jam përgjegjës për ta kthyer, sepse nuk është thjeshtë një grant apo një dhuratë prej institucionit. Ky edukim është kryesori për institucionin tonë dhe të gjitha institucionet, edukimi i klientit që ta kuptojë se kredia duhet të kthyer. Ne kemi mënyra të ndryshme, jo vetëm që e edukojmë klientin dhe për shembull ne duke draftuar dhe nënshkruar kontratën me klientin e edukojmë klientin, por gjithashtu edhe nga ana e stafit tonë ne bëjmë një trajnim të stafit tonë se si ata duhet t’i ofrojnë produktet e institucionit tonë, t’i ofrojnë ato produkte, në mënyrë që në të ardhmen ato produkte të kthehen. Ne bëjmë analiza për çdo kredi që japim, analizojmë biznesin dhe fuqinë rikthyese apo ripaguese siç e quajmë ne në termat financiar të atij biznesi.
Me sa kemi parë ne për t’iu përgjigjur pyetjes së pjesës së parë të pyetjes suaj, te FINCA vinë klientë me biznese të vogla apo të mesme, dhe kjo është kryesisht edhe tregu jonë qëllimtar. Ne shkojmë pas atij tregu. Ne e dimë që papunësia në Kosovë është pak e nivelit të lartë. Doja të theksoja se nëse do të përdornim një metaforë, për shembull të krahasojmë klientët tanë ose tregun e klientëve tanë me tregun e klientëve të bankave, unë do të thosha që si metaforë ne jemi parapërgatitor ose shkolla fillore për klientët dhe përgatisim këta klientë pastaj për të shkuar në shkollën e mesme. Qëllimi jonë është që t’i ndihmojmë këto biznese sado të vogla që të jenë, të rriten pak ose të bëjnë të gatshme të jenë gati për të shkuar, për të trokitur te dyert e bankave, sepse këtu qëndron një ndryshim midis bankave dhe mikro-financave, bankat kanë kërkesa të tjera mbase pak më rigoroze për sa i përket bizneseve apo nivelit të shitjeve, apo nivelit të kolateralit që këto biznese ofrojnë.
Mikro-financat mundohen që të mos kenë shumë kërkesa rigoroze dhe kjo sjell edhe klientin, sepse ka klientë që nuk e kanë atë sasi kolateralit apo atë rritje të biznesit, apo atë gjendje financiare. Ne i bëjmë këto dhe i përgatisim që pastaj të shkojnë në banka, kështu që mendoj se ka vend për të dyja, ka vend për banka, ka vend për mikro-financa. /Intervistoi: Albënora Bekteshi/
Linku për video versionin: http://video.kosovapress.com/?cid=1,1,11247
Linku për tekst versionin: http://www.kosovapress.com/ks/index.php?cid=1,7,91502

