11-04-2017

Punonjësit e FINCA Kosovë dhurojnë gjak për të shpëtuar jetë

Në ditën ndërkombëtare të shëndetit rreth 30 punonjës të FINCA Kosovë dhuruan gjak, si një ndihmë për të shpëtuar jetët e fëmijëve dhe njerëzve të cilët vuajnë nga sëmundje të ndryshme.

Dhurimi i gjakut u krye sot në mjediset e Zyrës Qendrore të FINCA-s. Vullnetarët u përshëndetën dhe u falënderuan nga përfaqësues të ekipit mjekësor të qendrës së transfuzionit të gjakut të cilët ishin mirënjohës për punonjësit e FINCA-s të cilët shprehën solidaritet për njerëzit dhe fëmijët në nevojë.

Znj. Donika Krasniqi, menaxhere e Marketingut tek FINCA Kosovë, tha se dhurimi i gjakut shkon përtej shpëtimit të jetëve njerëzore sepse ai e lidh më shumë shoqërinë dhe bën që çdo individ i shoqërisë të ndihet i fortë, i rëndësishëm dhe pjesë e një mjedisi që në qendër vendos njeriun. Ajo shtoi se Institucioni FINCA ndihet mirë që po ndihmon në përcjelljen e këtij mesazhi.

FINCA Kosovë e konsideron Përgjegjshmërinë e Biznesit si një element kyç në çdo vendim që merr. Përveç aspektit human, FINCA Kosovë dëshmoi edhe një herë qe është institucion me përgjegjësi sociale dhe  është e ndjeshme jo vetëm ndaj këtij problemi por dhe ndaj çdo problematike sociale të komunitetit duke kontribuar me projekte të ndryshme përmes Përgjegjshmërisë Sociale të institucionit