25-06-2026

FINCA Kosovë ri-certifikohet me nivelin GOLD për Mbrojtjen e Klientit

FINCA Kosovë është ri-certifikuar me Certifikatën GOLD për Mbrojtjen e Klientit, të lëshuar nga agjencia ndërkombëtare e vlerësimit MFR, bazuar në Kornizën e Certifikimit për Mbrojtjen e Klientit Cerise+SPTF, e njohur ndërkombëtarisht.

Ky ri-certifikim dëshmon se FINCA Kosovë përmbush standardet më rigoroze për Mbrojtjen e Klientit, të përcaktuara në Standardet Universale të Cerise+SPTF për Menaxhimin e Performancës Sociale, dhe konfirmon përkushtimin tonë të vazhdueshëm ndaj mbrojtjes së klientëve, zbatimit të praktikave të përgjegjshme dhe ofrimit të shërbimeve financiare në përputhje me standardet më të larta ndërkombëtare.

Çfarë është MFR?

MFR (MicroFinanza Rating) është një agjenci ndërkombëtare që ofron vlerësime dhe certifikime të pavarura për institucione financiare në mbarë botën. Certifikimi për Mbrojtjen e Klientit është një vlerësim i jashtëm dhe i pavarur që verifikon nëse një institucion financiar zbaton në mënyrë efektive parimet e mbrojtjes së klientit, i trajton klientët me drejtësi dhe vepron sipas standardeve të financimit të përgjegjshëm.

Ky certifikim vlerëson politikat, procedurat, sistemet e menaxhimit, praktikat e stafit dhe proceset që lidhen drejtpërdrejt me klientët, duke u bazuar në standarde të njohura ndërkombëtarisht për mbrojtjen e klientit.

Çfarë do të thotë ky certifikim për klientët e FINCA Kosovë?

Për klientët tanë, ky certifikim është konfirmim se FINCA Kosovë:

  • Vendos klientin në qendër të vendimeve dhe veprimtarisë së saj.
  • Ofron shërbime financiare të qarta, transparente dhe të përgjegjshme.
  • I trajton klientët me drejtësi, respekt dhe profesionalizëm.
  • Mbron të dhënat dhe privatësinë e klientëve.
  • Zbaton praktika që synojnë mirëqenien financiare dhe mbrojtjen e klientëve.

Marrja e Certifikimit GOLD për Mbrojtjen e Klientit, dëshmon se përkushtimi ynë ndaj klientëve nuk është një arritje e përkohshme, por një përgjegjësi e vazhdueshme.

Në FINCA Kosovë, ne mbetemi të përkushtuar për të ndërtuar marrëdhënie afatgjata të bazuara në besim, transparencë, respekt dhe përgjegjësi. Ky ri-certifikim përforcon premtimin tonë për të vazhduar ofrimin e shërbimeve financiare të përgjegjshme, duke e vendosur klientin në qendër të çdo veprimi.